Search
Sunday, April 20, 2014 ..:: Urdheri i farmacistit » Kodi deontologjik i farmacistit ::.. Register  Login

 

KODI I ETIKËS

DHE  DEONTOLOGJISË FARMACEUTIKE

 

 

 

KREU I PARË

 

PARIME KRYESORE

 

Neni 1

 

Përcaktimi

           

            Deontologia farmaceutike ëshë një bashkësi parimesh dhe rregullash profesionale, farmaceutike dhe mjekësore, që farmacisti  duhet t’i respektojë gjatë ushtrimit të profesionit. Sjellja e farmacistit edhe gjatë kohës së ushtrimit të profesionit, duhet të jetë shembullore në përputhje me dinjitetin që kërkon ky profesion.

            Farmacistët janë të detyruar të njohin parimet dhe rregullat, që përmbahen në këtë Kod.

 

Neni 2

 

Njohja e Urdhrit të Farmacistëve

 

            Farmacisti duhet të njohë Urdhrin e Farmacistëve si një ent publik, i cili përfaqëson  interesat e përbashkëta profesionale të farmacistëve dhe rregullon marrëdhëniet midis tyre në funksion të profesionit dhe shërbimit të publikut.

 

Neni 3

 

Njohja e Kodit Deontologjik dhe Betimi i farmacistit

 

            Çdo farmacist, kur regjistrohet në Urdhrin e Farmacistëve, duhet të ketë njohuri të plota të Kodit Deontologjik dhe të betimit të Hipokratit (sipas formulimit të Gjenevës 1948), duke u zotuar se do t’i zbatojë këto me përpikmëri, në kërkesën me shkrim për regjistrim në Urdhrin e Farmacistëve të Shqipërisë.

 

 

Neni 4

 

Detyrat dhe misioni i Farmacistit

 

1.Farmacisti që  të ushtrojë profesionin e tij me dinjitet duhet:

 

a)      Të zotërojë aftësi teorike dhe praktike profesionale, gjithnjë në rritje, për t’i vënë në shërbim të pacientit.

b)      Të veprojë me pavarësi dhe ndërgjegje profesionale të plotë, në përputhje me principet etike, duke pasur gjithmonë parasysh të drejtat e të sëmurit dhe respektin për jetën e tij.

c)      Të jetë gjithmonë i vëmendshëm dhe i ndjeshëm ndaj nevojave shoqërore dhe shëndetësore, që mund t’i paraqiten gjatë ushtrimit të profesionit të tij.

d)      Të ketë një sjellje në përputhje të plotë me detyrën e tij si punonjës i kualifikuar i mjekësisë dhe si përgjegjës i drejtpërdrejtë për shëndetin e njerëzve.

 

 

2. Shkeljet ose mangësitë gjatë ushtrimit të profesionit, ashtu si dhe sjelljet që dëmtojnë figurën profesionale ose që mund të kenë shkaktuar një mungesë shërbimi apo një dëm në shëndetin e të sëmurit, janë të dënueshme.

3. Farmacisti ka për detyrë  të jetë i mirinformuar profesionalisht si dhe të ruajë formim të përhershëm.

4. Ai ka për detyrë të marrë pjesë në format e kualifikimit të vazhdueshëm  të organizuara ose të nxitura nga Urdhri i Farmacistëve, në bashkëpunim me Fakultetin e Farmacisë dhe me institucionet shtetërore, si dhe në iniciativat e parashikuara nga aktet normative  përkatëse për të marrë, në rastet e parashikuara, akreditimet dhe çertifikimet.

5. Farmacistit i ndalohet mbajtja dhe dhënia, pa autorizimin përkatës të Ministrisë së Shëndetësisë, e lëndëve narkotike dhe psikotrope, natyrore, gjysmësintetike apo sintetike të këtij grupi, që përfshihen në listën e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për kontrollin e drogave.

 

                                                   

 

Neni 5

 

Shërbimi farmaceutik

 

            Farmacisti duhet të ofrojë shërbim të njëjtë për të gjithë, pa dallim moshe, seksi, race, kombësie, feje, pikëpamjeje politike, gjendjeje ekonomike, pozitë shoqërore etj., duke respektuar në të njëjtën kohë të drejtat e njeriut dhe dinjitetin e çdo individi. Në rast lufte apo katastrofash ai duhet të angazhohet menjëherë për të ofruar ndihmën e tij, duke u vënë në dispozicion të autoriteteve kompetente.

 

 

Neni 6

 

Respektimi i traditës dhe sjellja etike

 

            Farmacisti duhet të bëjë gjithçka që ka në dorë për të respektuar dhe mbrojtur traditat më të vyera të profesionit, duke praktikuar vazhdimisht një standart të lartë profesional dhe një sjellje etike të përshtatshme ndaj të sëmurit, familjarëve dhe ndaj çdo personi tjetër që i kërkon ndihmë.

 

Neni 7

 

Kufizime të aktivitetit profesional

 

            Farmacisti në asnjë rast nuk duhet të përfitojë nga kushtet që i krijon profesioni. Ai nuk duhet të përdorë postin për qëllime përfitimi personal dhe profesional.

 

 

 

 

 

Neni 8

 

Ndihma në raste urgjente

 

            Farmacisti nuk duhet të shmangë dhënien e ndihmës urgjente për çdo njeri që ka nevojë, duke kërkuar njëkohësisht edhe asistencën e specializuar mjekësore.

 

Neni 9

 

Marrëdhëniet me kolegët dhe personelin

           

Gjatë punës së tij, farmacisti duhet të bëjë kujdes për të ruajtur emrin e mirë të profesionit dhe të ketë marrëdhënie të mira me kolegët dhe personelin tjetër mjekësor.

Kundërshtitë dhe mosmarrëveshjet midis kolegëve duhet të zgjidhen nëpërmjet ballafaqimeve të drejtpërdrejta dhe, në rast moszgjidhjeje, duhet t’u nënshtrohen vlerësimit të Urdhrit profesional.

 

 

Neni 10

 

Detyrimet profesionale

           

            Farmacisti ka për detyrë njohjen me të rejat e shkencës, abonimin në periodikun farmaceutik si dhe pjesëmarrjen në veprimtaritë kualifikuese për ngritjen profesionale të tij. Në rast nevoje dhe kur është e mundshme, duhet të këshillohet me specialistët jashtë ose brenda specialitetit të tij.

            Ai duhet të ndihmojë publikun për të kuptuar çështjet shëndetësore dhe të ndihmojë në edukimin dhe aftësimin e farmacistëve të tjerë.

 

KREU I DYTË

DETYRAT E FARMACISTIT NDAJ TË SËMURIT

 

Neni 11

 

Marrëdhëniet me të sëmurin

 

            Farmacisti duhet të kujdeset për ruajtjen e mirëqënies së të sëmurit dhe të interesave shëndetësore të tij. Marrëdhëniet midis tyre duhet të mbështeten në mirëbesimin e ndërsjellë.

 

MARRËDHËNIET ME QYTETARËT

 

Neni 12

 

            Farmacistit i ndalohen iniciativat ose sjelljet, që mund të kufizojnë ose ndalojnë të drejtën e qytetarit për zgjedhje të lirë të farmacisë.

            Farmacisti vepron në përputhje me shkencën, duke respektuar plotësisht ligjin në çdo vepër profesionale, por edhe në veprimtarinë e tij këshillimore. Ai duhet të ofrojë gatishmërinë dhe mirësjelljen më të mirë dhe të japë ndihmën e lejuar nga ligji dhe të diktuar nga ndjenjat e natyrës njerëzore të vetë profesionit.

           

 

 

Neni 13

           

            Vënia në dispozicion të pacientit e të gjitha të dhënave dhe sqarimeve që kanë të bëjnë me ruajtjen, përmbajtjen, veprimin terapeutik, përdorimin, mënyrat dhe kohët e marrjes së barnave, kundërindikacionet, veprimet anësore dhe papajtueshmërinë e barnave të dhëna, është detyrim profesional për farmacistin. Ai duhet të japë edhe këshilla e udhëzime higjienike, sanitare dhe dietike plotësuese në mbështetje të përsosjes dhe përshtatshmërisë së terapisë, duke pasur si qëllim rimëkëmbjen dhe ruajtjen e gjendjes shëndetësore të të sëmurit.

Ndërhyrjet këshillimore që shoqërojnë dhënien e barit duhet të kryen duke ruajtur individualitetin e të sëmurit.

            Farmacisti merr pjesë në përshtatshmërinë e terapisë nëpërmjet një shërbimi të përpiktë farmakovigjilence.

Farmacisti nxit dhe merr pjesë në fushatat e parandalimit dhe edukimit shëndetësor.

 

 

Neni 14

 

Kompetenca profesionale

 

            Farmacisti duhet t’i garantojë të sëmurit përkushtim dhe aftësi profesionale.

            Ai duhet të kryejë punën e tij pa mangësi profesionale dhe etike, në bashkëpunim të hapur me të sëmurin. Shkeljet në këtë drejtim, në vartësi të shkallës së rëndësisë ndëshkohen, sipas dispozitave në fuqi.

 

Neni 15

 

Dhënia e barnave pa recetë

           

            Farmacisti duhet të propozojë dhe të japë pa recetë vetëm barna të nevojshme për diagnozën më të besueshme dhe që janë në pajtim me listat e miratuara nga Ministria e Shëndetësisë

 

 

Neni 16

 

Ruajtja e sekretit

           

            Të dhënat që farmacisti mëson gjatë kryerjes së detyrës, vlerësohen si të fshehta mjekësore. Me dëshirën e të sëmurit ai është i detyruar të mbajë të fshehtën edhe ndaj familjarëve e personave të tjerë.

 

 

Neni 17

 

Vazhdimësia e shërbimit

           

            Kur farmacisti do të mungojë për një periudhë të caktuar, ai është i detyruar të sigurojë vazhdimësinë e shërbimit, duke vendosur dukshëm, jashtë farmacisë, edhe një shënim me adresat e farmacive më të afërta.

 

 

 

Neni 18

 

Dokumentimi i punës

 

            Farmacisti ruan dhe mirëmban, për aq sa e detyron ligji, gjithë dokumentacionin e veprimtarisë së tij. Çdo abuzim, mashtrim apo falsifikim, me apo pa qëllim, dënohet me ligj.

 

 

Neni 19

 

Ankesat e të sëmurëve

 

            Në qoftë se të sëmurët kanë ankesa lidhur me kujdesin apo për barnat e dhëna duhet t’u jepet një përgjigje e menjëherëshme dhe e përshtatshme. Në raste të veçanta, për këtë qëllim, farmacisti mund dhe duhet të këshillohet me mjekun për të respektuar gjithmonë marrëdhëniet etike, sipas këtij Kodi.

 

KREU I TRETE

 

MARRËDHËNIET ME KOLEGËT DHE ME PUNONJËSIT E TJERË TË SHËNDETËSISË

 

Neni 20

 

Respekti reciprok

 

            Marrëdhëniet midis kolegëve duhet të bazohen në parimet e respektit reciprok. Farmacisti duhet të sillet ndaj kolegëve të tij me ndershmëri, ashtu si ai do të dëshironte që ata të silleshin ndaj tij. Farmacisti nuk duhet të përgojojë kolegët e tij dhe të bëjë që i sëmuri të dyshojë për njohuritë dhe aftësitë e tyre.

            Gjatë ushtrimit të profesionit të tij dhe në interes të pacientit, farmacisti duhet t’i përmbahet parimeve të mirësjelljes së ndërsjellë dhe të detyrave dhe të të drejtave profesionale të veçanta, që ka në marrëdhënie me punonjësit e tjerë të shëndetësisë.

            Farmacisti vë në dijeni kolegët me frytet e përvojave të tij tekniko-shkencore dhe duhet të nxisë takimet e punonjësve të tjerë të shëndetësisë më qëllim shkëmbimin ndërsjellë të njohurive dhe të dhënave shkencore të kohës.

            Farmacisti, në rastet kur ka vërejtje në lidhje me një recetë, duhet t’i drejtohet mjekut që e ka lëshuar atë.

            Farmacisti nuk mund të bëjë asnjë lloj publiciteti me qëllim përfitimi për punonjësit e tjerë të shëndetësisë dhe strukturave përkatëse.

            Farmacisti nuk mund të pranojë dhe as të nxisë shfaqjen e çfarëdolloj reklamimi të farmacisë së tij në studio, në ambulatorë mjekësorë dhe veterinarë, klinika dhe struktura shëndetësore të këtij lloji.

            Marrëdhëniet me nëpunësit e tjerë të shëndetësisë nuk duhet të nxiten ose kushtëzohen nga interesa ekonomike.

            Farmacisti nuk duhet të stimulojë në asnjë formë recetat mjekësore.

            Farmacisti nuk mund të promovojë, organizojë ose të marrë pjesë në nismat për tërheqjen e recetave në farmacinë e tij nga ambulatorët mjekësorë dhe nga çdo strukturë tjetër.

 

 

 

Neni 21

 

Respekti ndaj mësuesve

 

            Farmacisti duhet të tregojë nderim dhe mirësjellje ndaj mësuesve të tij për dijenitë, aftësitë profesionale dhe mjeshtërinë që ka fituar nga ata.

 

Neni 22

 

Solidariteti ndaj kolegëve

 

            Në qoftë se një farmacisti i kërkohet këshillë ose ndihmë profesionale nga një koleg, ai duhet të jetë i gatshëm t’i japë ato me çiltërsi dhe në përputhje me njohuritë më të mira. Ai duhet të jetë solidar me kolegët, që iu nënshtrohen akuzave të padrejta.

 

Neni 23

 

Marrëdhëniet me praktikantët

 

            Farmacisti që mirëpret praktikantë, të cilët kanë qëllim përgatitjen e diplomës dhe pranimin në provim shteti duhet t’i ndihmojë me këshilla teknike dhe shkencore, duke u zotuar t’u japë dhe një shembull etik, përveç atij profesional.

 

 

 

Neni 24

 

Marrëdheniet me autoritetet dhe entet e shëndetësisë

 

            Farmacisti, në cilësinë e punonjësit të shëndetësisë, bashkëpunon me autoritetet duke i ndihmuar në arritjen e objektivave të tyre dhe merr pjesë në nismat e edukimit shëndetësor, të farmakovigjilencës, të parandalimit të sëmundjeve, të ruajtjes së mjedisit dhe të mbrojtjes civile.

            Farmacisti duhet të mbajë marrëdhenie bashkëpunimi me kolegët, që ushtrojnë profesionin në fushën e administrimit publik, duke respektuar rolet përkatëse dhe duke qënë i vetëdijshëm se është pjesë e përbashkët e Shërbimit Shëndetësor Kombëtar në kushte të barabarta dinjiteti profesional.

            Farmacisti merr pjesë në nismat e nxitura nga institucionet dhe Urdhri i Farmacistëve me qëllim përmirësimin e shërbimit dhe të përkushtimit ndaj shoqërisë.

 

Neni 25

 

Qëndrimi ndaj sjelljes jo korrekte të kolegëve

 

            Në rast se farmacisti vihet në dijeni të një sjelljeje të papërgjegjshme të kolegut, që mund të ketë lidhje me ndonjë parregullsi etike ose mjekësore, ai nuk duhet t’i diskutojë ato me të sëmurin, me familjarët ose kolegët e tjerë, por me drejtuesit përkatës të Urdhrit të Farmacistëve.

 

 

 

 

 

Neni 26

 

Gabimet e bashkëpunëtorëve

 

            Farmacisti është i detyruar të vërë në dukje gabimet, që mund të bëhen nga bashkëpunëtorët ose personeli tjetër ndihmës, duke i trajtuar ato me kujdes, pa cënuar dinjitetin e asnjërit dhe asnjëherë përpara të sëmurit, familjarëve apo miqve të tyre.

 

 

 

KREU I PESTË

KUSHTET E USHTRIMIT TË PROFESIONIT

 

Neni 27

 

Sigurimi i mjedisit të punës

 

            Në ushtrimin e profesionit farmacisti duhet të ketë një mjedis të përshtatshëm dhe mjetet e nevojshme teknike.

 

Neni 28

 

FARMACIA

 

            Farmacisti që ushtron profesionin në farmaci duhet të mbajë veshur këmishën e bardhe mbi të cilën duhet të jetë dukshëm karta identifikuese profesionale e miratuar dhe e shpërndarë nga Urdhri i Farmacistit.

            Karta identifikuese profesionale duhet të përdoret vetëm nga farmacistët e regjistruar në regjistrin profesional të Urdhrit të Farmacistëve, të cilët ushtrojnë profesionin në strukturat shtetërore ose private.

            Titullari ose drejtori i farmacisë duhet të bëjë kujdes që paraqitja e jashtme dhe ushtrimi i profesionit të organizohet në përputhje me rolin e farmacisë si qendër shoqëroro – shëndetësore dhe shërbimesh shëndetësore.

            Farmacisti duhet të mos pranojë në mënyrë të sjellshme, por të prerë, kërkesat për barna pa recetë, të cilat nuk janë në listat e miratuara, të vendosura me ligj. Bëhet përjashtim për rastet në të cilat, sipas ligjit në fuqi, lind nevoja për të shpëtuar këdo që kërcënohet nga një rrezik i papritur, që kërkon trajtim të menjëhershëm.

            Farmacisti nuk mund të mbajë, shpërndajë, ose reklamojë barna industriale, që nuk janë autorizuar për tregti në Shqipëri, edhe në qoftë se kërkesa shoqërohet me recetë mjekësore.

            Dorëzimi i barit në duart e klientit është e drejtë vetëm e Farmacistit. Lejimi i shpërndarjes së barnave në mjediset e farmacive të hapura për publikun, atyre spitalore dhe në mjediset e shërbimit shëndetësor nga ana e personave që nuk janë farmacistë, përbën një shkelje të rëndë ligjore.

            Persa i përket shitjes së artikujve jomjekësorë, farmacisti duhet të veprojë në përputhje me rolin e tij dhe në interes të shëndetit të qytetarit si dhe në interes të figurës së profesionit të farmacistit.

 

 

 

 

 

Neni 29

 

REKLAMAT

 

            Reklamat, kur me to nënkuptohen afishet e vëna pas xhamit dhe që kanë të bëjnë me produktet dhe shërbimet, duhet të realizohen në funksion të informimit të  publikut, duke pasur parasysh ndikimin që ato kanë te klientët.

            Titullari ose drejtori i farmacisë duhet të bëjë kujdes, në mënyrë që çdo reklamë që ndodhet në farmacinë e tij të jetë e ligjshme dhe në përputhje me etikën profesionale dhe karakterin shoqëroro – shëndetësor.

 

Neni 30

 

Mosshfrytëzimi i funksioneve administrative

 

            Farmacisti që kryen funksione administrative ose është i zgjedhur në detyra publike, e ka të ndaluar të shfrytëzojë detyrën për të rritur numrin e klientelës dhe për përfitime të tjera.

 

AKTIVITETI PROFESIONAL NË INDUSTRINË FARMACEUTIKE

 

Neni 31

 

            Farmacisti, si njohës shkencor i barnave, duhet të zbatojë rreptësisht dispozitat ligjore, që rregullojnë shpërndarjen falas të mostrave të barnave te mjekët, spitalet dhe çdo strukturë tjetër shëndetësore.

 

VEPRIMTARIA PROFESIONALE NË FUSHËN E IMPORTIMIT

DHE  TË SHPËRNDARJES

 

Neni 32

 

            Farmacisti që ushtron profesionin e tij në shpërndarjen e ndërmjetme, duhet të respektojë kufijtë, që i janë vënë nga dispozitat ligjore dhe nga roli që ka. Në mënyrë të veçantë ai duhet të sigurohet që të gjitha barnat të ruhen dhe transportohen në kushtet e duhura, si dhe nuk duhet t’i shesë publikut e personave të paautorizuar për blerje me shumicë (qofshin këta mjekë, infermierë, mami ose ambulatorë)  produkte, shitja e të cilave i rezervohet me ligj farmacistëve që ushtrojnë profesionin në farmaci.

 

Neni 33

 

Kontrata e punës

 

            Ushtrimi i profesionit pranë një institucioni privat ose publik bëhet me kontratë me shkrim, ku përcaktohen detyrimet përkatëse të palëve. Çdo projekt kontratë i komunikohet Urdhrit të Farmacistëve, i cili mund të bëjë vërejtje brenda një afati të shkurtër kohor.

 

 

 

 

 

 

Neni 34

 

Punësimi i kolegëve

 

            Farmacistit, që ka hapur një farmaci, i lejohet të punësojë farmacistë të tjerë për llogari të tij, sipas rregullave të liçensimit.

 

Neni 35

 

Respektimi i çmimeve të barnave

           

Farmacisti duhet të respektojë çmimet e barnave, siç janë në pullat e sigurisë. Përqindja e fitimit të tij s’duhet të kalojë masën e caktuar me ligj.

 

 

 

KREU I GJASHTË

DISPOZITA PËRFUNDIMTARE

 

Neni 36

 

Respektimi i Kodit

            Është detyrë e të gjithë farmacistëve, të regjistruar në Urdhrin e Farmacistëve, të respektojnë nenet e këtij Kodi.

 

Neni 37

 

Masat disiplinore

 

            Mosnjohja e neneve të këtij Kodi nuk e përjashton farmacistin nga përgjegjësia që vjen nga moszbatimi i detyrave etike e deontologjike të përshkruara në këtë Kod.

            Masat disiplinore, që rrjedhin nga moszbatimi i këtij Kodi përcaktohen sipas rregullores për Komisionet Disiplinore  të Urdhrit të Farmacistëve.

 

 

Neni 38

 

Njoftim i Urdhrit të Farmacistëve për shkeljet

 

            Anëtarët e Urdhrit të Farmacistëve kanë të drejtë dhe detyrë të njoftojnë organet përkatëse të Urdhrit të Farmacistëve për të gjitha shkeljet e këtij Kodi.

 

Neni 39

 

Hyrja në fuqi

 

                        Ky Kod hyn në fuqi menjëherë.

 

Text/HTML Minimize
Jemi ne sherbimin tuaj 24 ore ne rast urgjencash duke telefonuar ne numrin: 0692126053

Copyright (c) farmacia babamusta   Terms Of Use  Privacy Statement
DotNetNuke® is copyright 2002-2014 by DotNetNuke Corporation